Pirro Naçi

Pjesë e rëndësishme e një populli është edhe historia që ai ka. Ngjarje dhe figura të së kaluarës që kanë qenë pjesë e historisë kanë mbetur jashtë saj për shkak të interesave të caktuara të kohës. Historia dhe historianët, njerëzit e ç’fardo shoqërie apo periudhe, logjike është të hulumtojnë gjetjen e së vërtetës, ose t’i afrohen sa më shumë. Ajo që kërkojnë ka të bëjë me “busullën” e fakteve dhe ngjarjeve dhe evolimin e tyre që do t’i ndihmojë të interpretojnë se kush ishin të “mirët” dhe kush ishin “armiqtë”, përse ndodhi dhe si ndodhi, faktorët e brendshëm dhe ato të jashtëm etj, etj. Përgjigjet e mësipërme përvecç dëshirës së mirë të historianit për një interpretim real, shpesh herë përballen edhe me disa “kode” dominuese dhe interpretuese institucionale.

Kode që në rastin e historiografisë shqiptare janë të trashëguara nga e kaluara për t’i shërbyer qëllimeve të caktuara dhe jo të vërtetës historike. Në qoftë se deri më tani nuk kemi një ikonë të plotë për ngjarje të rëndësishme të historisë sicç janë ato të viteve të para të krijimit të shtetit shqiptar kjo nuk ka të bëjë me mungesën e fakteve dhe informacionin e plotë. Edhe pse na duket disi e habitshme faktet kanë mbetur “jetim” dhe vendin e kanë zënë zëra e imazhe konfigurative të segmenteve të ndryshëm që nuk shkëputen nga botëkuptimi dhe këndvështrimi i dekatave të mëparëshme. Po të theksojmë këtu edhe qëndrimet e vakta dhe jo të qarta qeveritare për të mbështetur kërkimet shkencore, puna e historianit vështirësohet edhe më shumë.

Vitet e fundit janë bërë përpjekje për rishikimin e historisë nga akademikë, studiues të historisë, institucione dhe organizma shtetërorë. Disa prej tyre janë pjesë e përgjegjësisë për gjendjen e historiografisë shqiptare. Botimi i katër vëllimene voluminoz dhe faktet e “shumta” e të “zbuluara” kohët e fundit nuk justifikojnë përpjekjen për një rishikim të Historisë Zyrtare të Shqipërisë. Se çfarë kuptojnë historianët me historinë “zyrtare” lë shumë për të dëshiruar. Terminologji të tilla të përmendura nga vetë akademikët vënë në dyshim gjithë përpjekjen për të hedhur një hap përpara. E vecçanta e shkencës historike është se nuk njeh kufijë të tjerë përveç kufirit të njohjes ndaj fakteve historike. Rishikimi siç thonë vetë autorët do të fillojë nga emërtimi.

Nuk do të thuhet Histori e Shqipërisë , por Histori e Shqipëtarëve gjatë shekullit të XX. Kjo në katër vëllime, me pjesmarjen e 45-së autorëve. A mund të futet një histori 100-vjeçare në 4 vëllime nga 45 autorë? Anglezi dhe historiani nga më të mëdhenjtë e shekullit të 20-të, Edward Hallet Carr, për një studim dhe periudhë 12-të vjeçare (1917-1929) shkruajti 14-të vëllime për Historinë e Rusisë Sovjetike. Analogji të tilla dhe ‘’rregulli i treshit’’ ndoshta nuk mund të përdoren e të na shërbejnë si bazë për të mos vlerësuar përpjekjen e studiuesve , por nuk na pengon të mendojmë për diçka më të mirë në historiografinë tonë. Përveç ‘’emërtimit’’ unë do të qëndroja edhe në faqet e ‘’para’’ të munguara të këtij studimi. Fjala është për Flamurin Kombëtar për të cilin akoma nuk kemi një punim serioz dhe cilësor. Sot nuk e dimë me siguri se cila është e vërteta e origjinës së flamurit që u ngrit në Vlorë Ditën e Shpalljes së Pavarësisë.

Ishte Marigo Pozio ajo që e solli nga Korfuzi e dërguar nga patriotët e Bostonit, ishte Spiridon Ilo miku personal i Ismail Qemalit, pjestar në Shpalljen e Pavarësisë apo sipas kujtimeve të Eqerem Bej Vlorës flamuri ishte ai që u mor nga shtëpia e tij që e mbante poshtë jastëkut…? Emërtimi apo flamuri, vëllimet e pakta apo të shumta ndoshta nuk janë thelbësorja e rishikimit të historisë. Ai është një proçes shumë më i gjërë dhe me dimensione të mëdha si në thellësi ashtu edhe në gjerësinë e trajtimit të ngjarjeve, figurave, pikpamjeve, situatave, perfeksionimit të vazhdueshë të nivelit dhe njohurive të historianit përpos frymës moderne të kohës. Kufinjtë e njohurive përcaktojnë edhe kufinjtë e pasqyrimit të historisë, siç thoshte historiani i lashtësisë Thukididi. Më 2007-2008 janë botuar dy vëllime për periudhën që po trajtojmë.

Parlamenti Shqiptar më 2008 debatoi për rishikimin e historisë. Dhjetë vjetë më pas flitet për një nga projektet më të mëdha për rishikimin e historisë. Janë botuar dy vëllime të reja dhe pritet të dalin edhe dy të tjerë. 45-së autorë përmbysin tezat e historiografisë komuniste. Dhe kjo paraqitet si një risi e re!!! Risi mund të ishte më 1990 , jo në 2020. Botimet dhe ribotimet, rishikimi dhe hedhja poshtë e tezave të së kaluarës është njëra anë e problemit. Ka ardhur koha për të një ‘’kompozim’’ dhe ‘’arkitekturë’’ më dinjitoze të gjithë komunitetit shkencor, instituteve , universiteteve, organeve qeveritare kombëtare dhe lokale për hulumtimin dhe studimin e Historisë bazuar edhe në Kodin e Etikës Evropiane në kërkimet shkencore.

Jo vetëm historianë, një masë më e gjerë e popullsisë është mbrujtur dhe ka trashëguar nga sistemi arsimor risi për të ‘’vërtetën’’ historike: mendojnë se roli i saj është për të mësuar arritjet dhe ngjarjet e së kaluarës krijon epërsi dhe ‘’avantazhe’’ në krahasim me popujt e tjerë, historia e së cilës mund të jetë më pak e njohur apo e rëndësishme për ta. Nuk ka rëndësi se ç’farë ‘’avantazhi’’ përfiton, rëndësi ka ndjenja sipërore që të krijon. Në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar Zef Jubani një nga përfaqësuesit kryesore të rrymave politike shqiptare në mesin e shekullit të 19-të, ju drejtua historisë.

Si rilindësit e tjerë ai u kap pas dy halkave: origjinës pellazgjike dhe figurës së Skënderbeut. Një shekull e gjysëm më parë ishte një gjetje shumë interesante dhe dobiprurëse. Sot populli ynë nuk është ai i 150 viteve të shkuara ku idetë dhe mendimet nuk përhapeshin as me E-mail, as me celular dhe as me televizion, por kishin të tjera parametra. Këtu duhet parë mundësia e shkëputjes së historisë nga miti. Ndër vite e kohë, historia është ndikuar ose nga miti ose nga fakte që kanë një substancë të së vërtetës por ato janë gërshetuar aq shumë me mitin sa dallimi i historisë prej tyre bëhet i pa mundur. Edhe një fakt tjetër nga shekulli i 19-të. Anastas Byku një tjetër përfaqësues i rrymave politike dhe kulturore shqiptare, botonte ndoshta nga të parët periodikë që i përkisnin ‘’filoalbanistikës’’ me emrin ‘’Pelasgos’’, ku drejtuesi kryesorë i saj dhe sponsor ishte filantropi Vangjel Zhapa.

E solla këtë momemt për të theksuar qëndrimin e munguar apo të cunguar të historiografisë shqiptare ndaj filantropëve që lanë gjurmë të rrëndësishme në të gjithë Ballkanin por edhe në Evropë. Këtu a mund të shikojë rolin e saj historiografia për të gjetur pjesët e munguara të pazëllit të historisë sonë bashkëkohore me të gjitha të mirat dhe mangësit e saj? Në kuadrin e ‘’didaktikës historike’’ jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë, sistemi arsimor zgjedh për të trajtuar e treguar ngjarje dhe fakte që lehtësojnë e kultivojnë kujtesën kolektive dhe vetëdijen kombëtare. Si rezultat e njëjta ngjarje historike apo periudhë e saj trajtohen me këndvështrime të ndryshme në ‘’didaktikën e historisë’’.

Ndodh që në rrethe shoqërore të diskutojmë dhe të trajtojmë ngjarje siç ishte ajo e përmendur më lart, 1912 e më pas. Periudhe që shquhet për densitet të madh të ngjarjeve politike të brendëshme dhe të jashtëme. E veçanta është se diskutimi bëhet midis një shqiptari dhe dy bashkëatdhetarëve që janë shkolluar në Greqi dhe në Itali. Ai që kishte studjuar në Shqipëri i trajtonte grekët e asaj periudhe si pushtues, të frymëzuar nga ‘’megali idhea’’, përgjegjës për aneksim teritori, pengesë për konsolidimin e shtetit të sapo formuar Shqiptar, flert me Esat Pashë Toptanin, renegatë, shovenë, etj,etj. Ndërsa Italianët i pëshkruante gati gati ‘’gardianë’’ të shtetit të parë. Ai që kishte studjuar në Greqi kishte një përqasje tjetër.

Grekët nuk erdhën në Shqipëri për të pushtuar por për një luftë çlirimtare ndaj perandorisë osmane, për të mbrojtur të drejtat e popullsisë bashkëkombase brenda kufirit teritorial të Vilajetit të Janinës dhe bazuar në konturet e disa parimeve ndërkombëtare që ishin prezent në ballkan para dhe pas luftes së parë botërore. Në Jug Ismail Qemali nuk ishte kundër cedimit në favor të Greqisë, të Janinës dhe të territoreve jugorë të vilajetit me të njëjtin emër. Ai pretendonte që në jug … banonin afërsisht 250 000 grekë ose shqiptarë ortodoksë me ide greke… Bashkimi me shtetin shqiptar i viseve me popullsi dërrmuese greke,nuk ishte i dëshirueshëm, mbasi këto vise do të përbënin një mollë grindjeje të përherëshme midis Greqisë dhe Shqipërisë.(Fakte të nxjera nga telegrami i konsullit të AustroHungarisë në Vlorë,… mbi takimine tij dhe të homologut italian me Ismail Qemalin.) Këtu u ‘’ndezën edhe gjakrat’’, e ‘’pagëzonin’’ injorant, tradhëtar , analfabet, i shitur tek greku etj, etj. Ai që ishte shkolluar në Itali e shikonte atë periudhe dhe vitet më pas si një ‘’Kungim të Shenjtë’’ italian ndaj shtetit të sapo formuar Shqiptar. Ajo do ti sillte shqiptarëve qytetërimin romak dhe atë venedikas, ku ‘’Deti i ndan ata dhe në të njëjtën kohë deti i lidh së bashku’’, siç shprehej gjenerali Ferrero më 3 qershor 1917 në Gjirokastër, ku shpallte pamvaresinë e gjithë Shqipërisë nën mbrojtjen e Mbretërisë Italiane.

Madje ai theksonte se edhe pas 93 viteve, më 2010-tën, Ambasada Italiane në Tiranë organizonte veprimtari të larmishme nën siglën nostalgjike ‘’Italia dhe Shqipëria – Dy Popuj një det një Miqësi’’… Këtu debati mbyllej thjesht me një ‘’una faca una raca’’. Faktet e mësipërme kanë krijuar një traditë të fortë urrejtjesh dhe në të njëjtën kohë edhe një traditë të fortë bashkëjetese. Natyrshëm të lind pyetja, kush nga të tre do të jetë njohës i së ‘’vëtetës’’dhe se cili nga shtetet e lartpërmendur ka devijuar nga realiteti historik? Në fund të fundi janë shtetet apo historianët ata që ‘’kompozojnë’’ historinë? Është e qartë se çdo Historiografi Kombëtare ka historin e saj, ka trashëgiminë dhe veçoritë e veta. Siç theksonte e dhe E.H.Carr, Historia është një dialog i pafund midis të sotmes dhe të së kaluarës. Qëndrimet, pikpamjet dhe këndvështrimet e ndryshme duhet të zënë më shumë vend në rishikimin e historisë por edhe në didaktikën mësimore. Duhen njohur dhe nuk duhet përbuzur apo injoruar.

Pak vite më parë midis Ministrive të Arësimit të Shqipërisë dhe Greqisë janë bërë përpjekje për rishikimin e teksteve mësimorë. Bashkëpunime të tilla duhet të bëjë edhe komuniteti shkencor, institutet përkatëse, universitetet dhe Akademia e Shkencave. Njohja e së kaluarës dhe shumë më tepër momentet e lavdishme të njerëzimit- sipas Volterit,- mund ti bëjë njerëzit më të matur, racional e tolerant dhe më pak të ashpër, do të shtyjë dhe detyrojë qeveritarët në objektiva të tilla si promovimi i drejtësisë dhe i lirisë por edhe i ndalimit të fanatizmit, brutalitetit dhe shtypjes.